Ardita Sinani inspekton zonat e ndjeshme pas reshjeve – mungon nënkryetari Ragmi Mustafa
Preshevë – Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, sot ka kryer inspektime në disa nga zonat më të ndjeshme pas reshjeve të dendura që goditën territorin e komunës. Sipas saj, situata paraqitet nën kontroll në të gjitha lagjet dhe vendbanimet, përveç zonës së Stacionit Hekurudhor, ku vërshimet kanë prekur disa shtëpi.
Sinani ka njoftuar se ekipet e Njësisë së Zjarrfikësve dhe ndërmarrjes publike “Moravica” kanë reaguar menjëherë, duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për menaxhimin dhe sanimin e dëmeve.

“Situata është nën kontroll, ndërsa institucionet komunale mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim gjatë ditëve me reshje intensive,” ka deklaruar Sinani.
Inspektimi i saj vjen pas kritikave të bëra më herët nga lideri opozitar, Sami Salihu, i cili akuzoi udhëheqjen komunale për mungesë reagimi dhe moskokëçarje në lidhje me situatën e krijuar nga reshjet.

Gjatë inspektimit, krahas kryetares, ishte i pranishëm edhe kryeshefi i Kuvendit Komunal. Megjithatë, ka rënë në sy mungesa e nënkryetarit të komunës, Ragmi Mustafa, i cili nuk ishte pjesë e ekipit inspektues.
Komuna ka theksuar se mbetet në gatishmëri të vazhdueshme për t’u përgjigjur ndaj çdo situate të mundshme gjatë ditëve me mot të paqëndrueshëm.