Kabineti i kryetares Ardita Sinani i kundërpërgjigjet Visar Mehmetit: “Kush e demoloi shkollën dhe pse nuk u përfundua renovimi?”
Kabineti i kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar ndaj deklaratave të këshilltarit komunal Visar Mehmeti lidhur me gjendjen e Shkollës Fillore “Ibrahim Kelmendi”, duke e akuzuar atë për propagandë dhe duke kërkuar përgjigje për përgjegjësinë e institucioneve në periudhën 2019–2024.
Përmes një reagimi publik, kabineti i kryetares shtron disa pyetje direkte për Mehmetin:
“Kush e demoloi shkollën në vitin 2019? Kush i la punimet në gjysmë? Dhe pse nga viti 2019 deri në vitin 2024, kur kishit përgjegjësi institucionale, nuk ndërmorët asgjë për ta përfunduar renovimin që sot po e kërkoni?”
Në reagim thuhet se objekti i shkollës është pjesë e një projekti të institucioneve qendrore dhe se Komuna nuk mund të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme në punimet që tashmë janë të planifikuara, përfshirë edhe renovimin e fasadës.
Sipas kabinetit të kryetares, pretendimi se problemi mund të zgjidhej me një amendament prej 85 mijë eurosh nuk qëndron, pasi, siç thuhet në reagim, kostoja reale e përfundimit të punimeve është dukshëm më e lartë. Po ashtu, theksohet se amendamenti i propozuar nga Mehmeti ishte “një propozim populist, pa analizë reale të kostos, pa dokumentacion teknik dhe pa respektuar procedurat ekzistuese”.

Në reagim gjithashtu bëhet e ditur se Komuna ka ndërmarrë një sërë hapash për të gjetur zgjidhje për përfundimin e projektit. Sipas kabinetit, janë dërguar dhjetëra shkresa zyrtare dhe janë zhvilluar takime me Ministrinë për Investime Publike, Ministrinë e Arsimit, si dhe me përfaqësues të disa ambasadave, përfshirë ato të Shqipërisë, Turqisë, Mbretërisë së Bashkuar, Norvegjisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllim sigurimin e mbështetjes për përfundimin e renovimit.
Në fund të reagimit, kabineti i kryetares thekson se qytetarët e Preshevës kanë nevojë për “një zgjidhje të plotë, të ligjshme dhe të qëndrueshme”, duke shtuar se fotografimi i gjendjes aktuale të shkollës nuk zgjidh problemin, por se përgjegjësia duhet të merret nga ata që, sipas tyre, e lanë projektin të papërfunduar.
Ky reagim vjen pasi këshilltari komunal Visar Mehmeti kritikoi gjendjen e Shkollës Fillore “Ibrahim Kelmendi” dhe akuzoi pushtetin lokal për mosveprim. Reagimin dhe qëndrimin e plotë të Visar Mehmetit mund ta lexoni në linkun më poshtë.