Zbulohet në Bulqizë varri i parë monumental romak në Shqipëri
Bulqizë – Gjatë punimeve të projektit kërkimor-shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të udhëhequr nga Instituti i Arkeologjisë, është zbuluar një nga monumentet më të rëndësishme të periudhës romake të evidentuara ndonjëherë në vendin tonë: varri i parë monumental romak në Shqipëri.

Monumenti, me përmasa mbresëlënëse (9 m x 6 m dhe dhomë funerare deri në 2.40 m lartësi), është zbuluar i pajisur me një mbishkrim bilingual romak të rrallë, kushtuar individit të varrosur – Gelliano-s – dhe perëndisë Jupiter. Ky është mbishkrimi i parë i këtij lloji i zbuluar ndonjëherë në zonën e Dibrës.
Varrimi është konceptuar me tre ambiente:
një dhomë funerare, një paradhomë, dhe një shkallare monumentale,
duke e afruar tipologjikisht me një mausoleum të mirëfilltë.
Në inventarin arkeologjik të ruajtur janë gjetur:
enë qelqi, objekte kocke, armë, dhe fragmente tekstilesh të thurura me fije ari, që dëshmojnë qartë statusin e lartë shoqëror të të ndjerit.
Ky zbulim konsiderohet një dëshmi e pazëvendësueshme për studimin e prapaktokës romake në Shqipëri dhe një pasuri me vlera të veçanta për trashëgiminë tonë kulturore.
Për shkak të rëndësisë së tij, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me DRTK Tiranë dhe në koordinim me Institutin e Arkeologjisë, do të ndjekin procedurat për vendosjen e sitit në mbrojtje paraprake.
Institucionet përgjegjëse si MEKI, IKTK dhe Instituti i Arkeologjisë kanë theksuar se do të vijojnë mbështetjen për kërkimet shkencore, duke pasuruar më tej hartën arkeologjike të Shqipërisë.
Burimi: https://meki.gov.al/newsroom/strikcan-bulqize-nje-zbulim-unik-per-arkeologjine-shqiptare/?utm_source=chatgpt.com