Zbatohet sistemi “One Stop” edhe në kufirin Preshevë–Tabanoc
Beograd, 9 maj 2025 – Ministrat e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Pançe Toshkovski dhe Ivica Daçiq, nënshkruan sot në Beograd marrëveshjen dypalëshe për vendosjen e kontrolleve të përbashkëta në pikën kufitare Tabanoc–Preshevë.
Marrëveshja parasheh zbatimin e sistemit të ashtuquajtur “One Stop”, i cili do të thjeshtojë procedurat kufitare duke mundësuar që qytetarët të ndalohen vetëm një herë gjatë kalimit nga një shtet në tjetrin, në vend të dy ndalesave të veçanta.
Ky sistem është tashmë funksional në pikën kufitare Bllacë–Hani i Elezit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ndërsa pritet së shpejti të implementohet edhe në kufirin me Republikën e Shqipërisë.
Zbatimi i “One Stop” synon të përmirësojë qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, duke reduktuar kohën e pritjes dhe duke rritur bashkëpunimin rajonal.