VV-ja pa shumicë – Konjufca: Do të qeverisim vetëm me koalicion
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur ta sigurojë shumicën për të qeverisur e vetme dhe se formimi i një koalicioni është i pashmangshëm për ndërtimin e qeverisë së re.
“Vetëvendosja e ka pasur pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare. E pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve dhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. Tash jemi në skenarin B”, ka deklaruar Konjufca pas mbledhjes me përfaqësues të subjekteve politike.
Ai theksoi se Vetëvendosje synonte të qeveriste e vetme, por tani kjo duket e pamundshme. “A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”, tha Konjufca.
Duke folur për letrën që kryetari i VV-së, Albin Kurti, i ka dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës për të filluar konsultimet rreth konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të qeverisë, Konjufca tha se tashmë duhet përdorur “gjuhë e bashkëpunimit dhe partneritetit”.
“Politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen dhe dashurinë. Politika është me i kuptu interesat – por interesat që i përfaqësojmë s’janë tonat, por të Republikës së Kosovës. Këtu është vetëm bashkëpunimi. Demokracia dhe politika e kërkon pikërisht këtë: që duke u bërë bashkë të lidhen forcat dhe të vijë te një doktrinë e përbashkët e përfaqësimit të interesave tona shtetërore”, u shpreh ai.
Konjufca shtoi se pavarësisht shprehjeve të rënda të dëgjuara gjatë fushatës nga opozita, ai është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha palët që ndajnë vizionin për të çuar vendin përpara.
“Ua zgjati dorën e bashkëpunimit secilit me të cilin pajtohemi se mund të bëjmë diçka bashkë”, theksoi ai.
Sipas Konjufcës, është “privilegjuese” për LDK-në që është përzgjedhur si partnere e parë për diskutime nga ana e Albin Kurtit.
Ai shtoi se janë dy skenarë të mundshëm për qeverinë e ardhshme: një qeveri afatshkurtër që funksionon deri në zgjedhjen e presidentit, ose një qeveri më afatgjatë që ka shumicën për të zgjedhur edhe presidentin.
“Cilin e përqafon VV-ja? Nuk mund t’ua them sepse s’jam si nënkryetar i VV-së, por si kryetar i Kuvendit”, tha ai.
Ndërkohë, Kurti ka nisur takimet me përfaqësues të komuniteteve (përveç Listës Serbe), të cilët kanë zënë ulëse në Kuvend. Disa prej tyre kanë dhënë mbështetje, ndërsa të tjerë kanë lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim, duke shprehur edhe kërkesa specifike.
Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, VV-ja ka dalë partia e parë me 48 ulëse në Kuvend, ndërsa për të konstituuar Kuvendin dhe formuar qeverinë nevojiten së paku 61 vota. LDK-ja, si partia e dytë, ka siguruar 20 ulëse.
Raporton Koha.net, transmeton A1 Info.