Vuçiq i kënaqur me protestën pa viktima, por pa sinjale për dorëheqje
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas protestës masive në Beograd, duke shprehur kënaqësinë e tij që nuk pati viktima dhe duke lavdëruar policinë për menaxhimin e situatës. Në një shkrim të publikuar në llogarinë e tij, Vuçiq theksoi se forcat e sigurisë kanë bërë një punë të përgjegjshme dhe profesionale për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
“Së pari, dua të shpreh kënaqësinë time që u mbajt një protestë e madhe dhe nuk pati viktima apo të lënduar rëndë. Jam veçanërisht krenar për policinë dhe shërbimet tona të sigurisë, ata ofruan siguri për të gjithë pjesëmarrësit dhe jo vetëm që do t’i përgëzoja, por edhe do të thoja se si President jam krenar se sa me përgjegjësi e bënë punën e tyre pas ditëve dhe javëve pa gjumë,” shkroi Vuçiq.
Megjithatë, presidenti serb nuk përmendi asnjë mundësi dorëheqjeje, duke lënë të kuptohet se situata mbetet stabile sipas tij. Protesta, e cila mblodhi qindra mijëra qytetarë, u organizua mes thirrjeve për ndryshime politike dhe për përgjegjësi nga qeveria.
Vuçiq, në daljen e tij publike nga Pallati i Serbisë, u fokusua në rëndësinë e stabilitetit dhe ruajtjen e rendit, ndërsa kritikët e tij vazhdojnë të kërkojnë llogaridhënie për krizën politike në vend.
A1 Info