Visar Memeti: “Vazhdon mashtrimi i pushtetit, Ardita Sinani krenohet me projektet e Alternativës
Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Visar Memeti, ka reaguar ashpër ndaj vizitës së kryetares së komunës, Ardita Sinani, në Stadiumin e Qytetit, duke e quajtur atë “mashtrim të radhës të këtij pushteti”.
“Edhe pas më shumë se një viti në pushtet, Ardita Sinani vazhdon të mos ketë as edhe një projekt të vetin. Në mungesë të ideve dhe punës së saj, ajo sot krenohet me projektet e ALTERNATIVËS,” deklaroi Memeti.

Ai rikujtoi se ditë më parë u inauguruan Qendrimi ditor për fëmijë me nevoja të veçanta dhe Muzeu i qytetit – projekte që sipas tij janë ideuar dhe nisur nga Alternativa për Ndryshim.
“Sot, të njëjtën skenë e pamë me punimet e Stadiumit të Qytetit. Edhe ky është projekt i Alternativës, i filluar gjatë kohës sonë në pushtet dhe i bllokuar nga Ardita e Ragmija vitin e kaluar,” shtoi ai.
Memeti theksoi se qytetarët tashmë e kanë kuptuar të vërtetën, duke akuzuar kryetaren se “nuk ka vizion, nuk ka projekte dhe nuk e njeh artin e qeverisjes”.
Ky reagim i radhës shton tensionet politike në Preshevë, duke e vendosur fokusin tek debati se kujt realisht i takojnë meritat për projektet kryesore të komunës.