Visar Memeti: Skandal në Preshevë: Ragmi Mustafa përuron projektet milionëshe të vëllait të tij
Preshevë, 6 gusht 2025 – Kryetari i Alternativës për Ndryshim (APN), Visar Memeti, ka reaguar ashpër ndaj Ragmi Mustafës, duke e akuzuar për nepotizëm dhe shpërdorim të fondeve publike. Në një deklaratë publike, Memeti theksoi se Mustafa po vazhdon të pasurojë familjen e tij në kurriz të qytetarëve të Preshevës.

Ragmi Mustafa, i cili aktualisht është pjesë e qeverisjes lokale, së fundmi ka marrë pjesë në përurimin e disa projekteve infrastrukturore të realizuara nga një kompani e lidhur drejtpërdrejt me vëllain e tij. Sipas Memetit, kjo kompani, që operon përmes degës së saj në Vrajë, ka përfituar miliona dinarë nga tenderë të dyshimtë.
“Pas shpërblimit që ia bëri vëllaut të tij në fillim të vitit me 8 tenderë të përshpejtuar në vlerë prej 3 milionë dinarësh, tani Ragmi Mustafa del krenar duke prerë shiritat e punimeve që i kryen familja e tij,” tha Memeti.
Ndërkohë, qytetarët e Preshevës vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit të pijshëm dhe probleme të rënda infrastrukturore. Sipas Memetit, qeverisja aktuale ka dështuar të ofrojë zgjidhje për nevojat bazike të banorëve, ndërsa fondet publike shkojnë për favore familjare.
“Ragmija e ka bërë të qartë moton e tij: ‘Së pari familjarët, e pastaj qytetarët!’ Kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverisje të korruptuar,” përfundoi Memeti.
Derisa qytetarët kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie, akuzat për keqpërdorime të pushtetit vetëm sa po thellojnë krizën e besimit në institucionet lokale.
A1 info