VISAR MEMETI: PYETJE PUBLIKE PËR ARDITA SINANIN !?
Kryetari i APN-së, Visar Memeti në faqen e tij në fb. bën disa pyetje publike, kryetares së komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Ai, pyet për transparencën e këtij poushteti, lidhur me pikat e rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit Komunal.
Ai dha një varg kritikash kryetares, të cilat i shkroi në faqen e tij:
“Pse vazhdon të mos jetë transparente me opinionin publik, me pikat e rendit të ditës të Këshillit Komunal?
Pse nuk i ka cekë në postimin e saj sot edhe dy pikat që kanë qenë në rend dite në Këshill Komunal, e që kanë të bëjnë me Qendrën për punë sociale?!
Sot, në mbledhjen e Këshillit Komunal, është dhënë pëlqimi nga Ardita edhe Ragmia për punësimin e tre personave të tjerë në Qendrën për punë sociale, si dhe është aprovuar Programi Financiar për vitin 2025, për këtë institucion.
Si përkujtim, Ardita dhe Ragmia në muajin Nëntor i përjashtuan nga puna gjashtë punëtorë shqiptarë në Qendrën për punë sociale, me arsyetimin e “mungesës” së financave, edhe pse të gjithë këta ishin me kontratë të përhershme, në të njejtin Program që sot e ka aprovuar në Këshill komunal.
Ndërsa nga ana tjetër në po të njejtin Program janë punësuar jo gjashtë por tetë persona tjerë, pesë muajin e kaluar edhe tre tjerë sot.
Ky veprim dëshmon qartë se largimi i tyre në Nëntor nuk kishte të bënte me mungesën e fondeve, por për të favorizuar militantët dhe familjarë të këtij pushteti.
Përfundimisht, e gjithë kjo situatë pasqyron një qeverisje të dështuar, e cila në vend që të fokusohet në projekte zhvillimore për të mirën e qytetarëve, po shpenzon fondet publike për rehatimin e njerëzve të afërt me pushtetin, duke rënduar edhe më shumë buxhetin e komunës sonë.”
A1info