VISAR MEMETI: PUSHTETI LOKAL INDIFERENT NDAJ VENDKALIMIT KUFITAR MIRATOC-LLOJAN
Kryetari i APN-së, Visar Memeti ka kritikuar pushtetin lokal të Preshevës, kryetaren Sinani dhe zëvendëskryetarin Ragmi Mustafa, lidhur me indiferencën që e kanë lidhur me çështjen e vendkalimit kufitar, Miratoc –Llojan, duke numëruar gjitha ato neglizhenca nga ana e pushtetit lokal karshi kësaj problematike që e preokupon popullatën e fshatit Miratoc dhe të Prshevës në përgjithësi.
Ai në rrjetin social shprehet:
“INDIFERENCA TOTALE E PUSHTETIT LOKAL NDAJ VENDKALIMIT KUFITAR MIRATOC-LLOJAN!!!
Kohët e fundit, çështja e vendkalimit kufitar Miratoc-Llojan është rikthyer në vëmendje, si rezultat i përpjekjeve të banorëve lokalë dhe angazhimit të OSBE-së.
Banorët lokal, duke ndërmarrë iniciativa vetjake, kanë pastruar rrugën që të çon deri te pika kufitare, duke treguar qartë se ky kalim mbetet një nevojë e domosdoshme për këta banorë.
Të gjithë e dimë se procedurat burokratike dhe ligjore për hapjen e këtij vendkalimi tashmë janë përfunduar nga të dyja palët, si nga sërbe ashtu edhe nga ajo maqedonase, deri te ratifikimi i kësaj çështjeje në parlamentet e të dy vendeve.
Megjithatë, ajo që është shqetësuese por e pritshme, është indiferenca totale e Arditës dhe Ragmisë ndaj kësaj çështjeje. Pavarësisht rëndësisë së këtij vendkalimi për banorët, ata kanë zgjedhur të heshtin dhe të injorojnë çdo përpjekje për ta çuar përpara këtë proces. Kjo është dëshmuar edhe nga refuzimi i tyre për t’u prononcuar për këtë medium lidhur me këtë temë(shih videon).
Para disa ditësh, në një takim që pata unë me përfaqësues të OSBE-së, ma konfirmuan se edhe gjatë takimit që këta pêrfaqësues kanë pasur me Arditën dhe Ragmiun, ata kanë refuzuar të merren me çështjen e vendkalimit Miratoc-Llojan si pushtet lokal, pasi nuk është në prioritetin e tyre.
Indiferenca dhe injorimi i kësaj çështjeje nga ana e këtij binomi është dëshpëruese dhe tregon mungesën vullnetit dhe përgjegjësisë ndaj banorëve të fshatit Miratoc dhe më gjërë, të cilët nuk e marrin edhe mundin më të vogël që të marrin masa konkrete për të ndihmuar në hapjen e këtij vendkalimi, i cili është jetik për komunën tonë.”
A1info