VISAR MEMETI: PO KEQPËRDOREN MJETET PËR RENOVIMIN E ULËSEVE NË SHTËPINË E KULTURËS.
Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Visar Memeti njëherit edhe këshilltarë në Kuvendin Komunal në Preshevë ka hedhur akuza në drejtim të kryetares së Komunës, Ardita Sinani dhe zv. Kryetarit Ragmi Mustafa.
Sipas Memetit, tenderi i hapur nuk ka pasur asnjë kriter që garanton cilësi, dhe tenderi u fitua nga një kompani që nuk merret me renovim të ulëseve, ku Memeti vlerëson se ky është një keqpërdorim klasik vetëm për t’i kënaqur apetitet e tyre partiake, klanore e familjare.
Në vazhdim mund ta lexoni postimin e plotë të Visar Memetit.
“Fillon renovimi i ulëseve dhe dyshemesë në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, nga një kompani që veprimtarinë e saj e ka rregullimin e rrugëve dhe kanalizimeve!
Siç dhe patëm paralajmëruar më herët, projekti u është ndarë një kompanie joprofesionale dhe aspak e kësaj fushe, por thjeshtë ka mjaftuar që të jetë e afërt me pushtetin. Por, pushteti i Arditës dhe Ragmiut, me rastin e tenderimit nuk ka vendosur kurrëfarë kritere e referenca, me qëllim që tenderin MOS t’a fitonte ndonjë kompani serioze, e cila do të garantonte cilësi dhe afatgjatësi.
Vlera e projekti ka qenë e paraparë rreth 6.5 milion dinarë(55 000 EURO), ku vetëm ndërrimi i qilimit kundërzjarrit të dyshemesë do të kushtonte rreth 10.000 Euro, e ku mbeti pastaj edhe pjesa tjetër për renovimin e 500 ulëseve…, kurse kompania përfituese ka konkurruar me shumë prej 3.3 milion dinarësh(28 000Euro), duke e “fituar” kontratën për këtë projekt, që le hapësirë për të dyshuar se ky projekt realizohet në mënyrë jokualitative dhe afatshkurte.
E tëra kjo ka ardhur si rezultat i asaj që shumica e Komisionit për tendere janë njerëz joprofesional, por me ndikim dominues qoftë politik apo familjar, përfshirë këtu dhëndrrin dhe djalin e vëllaut të Ragmiut, shoferin e Arditës dhe bashkëshorten e këshilltarit nga radhët e Arditës.”


