Visar Memeti dorëzon propozim për shfuqizimin e pikës për minierën në Tërnavë
Tërnavë, 6 maj 2025 – Visar Memeti, kryetar i APN-së dhe njëkohësisht këshilltar në Kuvendin Komunal, ka dorëzuar sot një propozim-amendament për shfuqizimin e pikës 7 të rendit të ditës të seancës së Kuvendit të datës 10 shkurt 2025. Fjala është për pikën që ka të bëjë me inicimin e hartimit të planit të detajuar rregullativ për minierën sipërfaqësore Tërnava.

Memeti ka theksuar se futja e kësaj pike në rend dite ka ndodhur pa asnjë paralajmërim paraprak, si dhe është ushtruar presion mbi këshilltarët që ta votojnë atë pa transparencë të mjaftueshme.
Ai gjithashtu u bë zë i banorëve të fshatit Tërnavë dhe zonave përreth, të cilët janë kategorikisht kundër ndërtimit të gurëthyesit të dytë në këtë fshat. Sipas tij, një peticion i nënshkruar nga banorët tregon qartë kundërshtimin e tyre për këtë projekt, për shkak të ndikimeve të mundshme në mjedis dhe cilësinë e jetës.
“U bëj thirrje të gjithë këshilltarëve të reflektojnë dhe ta votojnë shfuqizimin e kësaj pike, duke mos rënë pre e ndikimeve apo interesave të personave të caktuar,” u shpreh Memeti.
Ai ritheksoi angazhimin e tij për transparencë, pjesëmarrje qytetare dhe mbrojtje të interesit publik, sidomos kur bëhet fjalë për vendime me ndikim të madh për komunitetin lokal.
A1 info