Visar Memeti akuzon pushtetin lokal për punësime partiake në Qendrën për Punë Sociale
Kryetari i Alternativës për Ndryshim (APN), Visar Memeti, ka denoncuar publikisht pushtetin lokal në Bujanoc, të udhëhequr nga Ardita Sinani dhe Ragmi Mustafa, duke i akuzuar për punësime partiake në Qendrën për Punë Sociale.
Sipas Memetit, në nëntor të vitit të kaluar, gjashtë punonjës shqiptarë me kontrata të përhershme u përjashtuan nga puna me arsyetimin e “mungesës së financave”. Por ai thekson se, pavarësisht kësaj, vetëm javën e kaluar, në të njëjtin institucion u punësuan shtatë militantë partiakë, duke kundërshtuar pretendimet për krizë financiare.
“Shumë shpejt, Qendra për Punë Sociale do të ketë 13 të punësuar që paguhen nga buxheti i komunës — gjashtë punonjësit e larguar që po rikthehen me vendim gjyqësor dhe shtatë militantët e punësuar nga Ardita dhe Ragmi,” tha Memeti, duke akuzuar pushtetin për “ngulfatje të buxhetit me punësime partiake dhe jo me projekte për qytetarët”.
Ai gjithashtu konfirmoi se personat e larguar padrejtësisht nga puna janë në proces gjyqësor dhe disa tashmë janë rikthyer me vendim të gjykatës, ndërsa pritet rikthimi i të tjerëve në ditët në vijim.
A1 Info
