Visar Memeti akuzon kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar për transparencë “selektive”
Krzetari i APN-së, Visar Memeti, ka kritikuar publikisht kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar për atë që ai e quan transparencë të pjesshme dhe të qëllimshme ndaj opinionit. Sipas Memetit, kryetari ka publikuar vetëm emrat e anëtarëve të Komisioneve Vlerësuese për thirrjet publike, duke lënë jashtë një element kyç të procesit vendimmarrës.

Memeti kujton se në seancën e 27 tetorit, me propozim të vetë kryetarit, është votuar edhe Komisioni Vëzhgues – një organ të cilin ai e cilëson si realisht vendimmarrës në përzgjedhjen e aplikimeve. Sipas tij, Komisionet Vlerësuese shërbejnë vetëm për fasadë, me qëllim që procesi të duket “transparent”, ndërsa vendimet kyçe merren nga Komisioni Vëzhgues.
Ai i bën thirrje kryetarit të KKSh-së që, për korrektësi dhe transparencë të plotë, të publikojë edhe listën e anëtarëve të këtij komisioni. Memeti nënvizon se publikimi mungon pikërisht sepse në këtë komision, sipas tij, bëjnë pjesë këshilltarë komunalë dhe persona të afërt me Ragmi Mustafën dhe Ardita Sinanin, përfshirë edhe dhëndrrin e Ragmi Mustafës.
Memeti pyet nëse mungesa e publikimit vjen nga frika e reagimit publik, duke kërkuar që kryetari të veprojë menjëherë për të siguruar transparencë të plotë.