Visar Memeti akuzon Ardita Sinanin pas vizitës së zëvendëskryeministrit Fetai
Në Preshevë ka shpërthyer një debat politik pas vizitës së zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, i cili u prit nga ish-kryetarja e komunës dhe aktualisht kryetare e Qendrës së krizave, Ardita Sinani.
Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Visar Memeti, ka kritikuar ashpër këtë takim, duke akuzuar Sinanin se në mungesë të delegacioneve serioze në Preshevë po “heq mallin” me zëvendëskryeministra nga Maqedonia e Veriut.
Memeti përmendi vizitat e mëparshme të Izet Mexhitit dhe tash së fundi të Arben Fetait, për të cilin tha se është “zëvendëskryeministër i Mickovskit, i mbetur pa parti, pa peshë politike dhe me destinacione të kufizuara zyrtare në Prishtinë e Preshevë”.
Sipas tij, në vend që fokusi i takimit të ishte çështja jetike e kufirit Miratoc–Llojan, janë diskutuar tema dytësore si IPA fondet dhe bashkëpunimi ndërkomunal Preshevë–Likovë–Gjilan, duke anashkaluar problemet reale të qytetarëve.
Memeti e përshkroi takimin si një “delegacion të komunës së Likovës”, më shumë sesa një vizitë të një zëvendëskryeministri të një shteti fqinj.