Visar Mehmeti: “E turpshme, hakmarrje e ulët politike!”
A1 Info | Politika Lokale
Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Visar Mehmeti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të pushtetit aktual për të çmontuar terrenin sportiv të ndërtuar në vitin 2021 nga kjo parti, duke e cilësuar veprimin si “të turpshëm” dhe një “hakmarrje të ulët politike”.
Në një deklaratë publike, Mehmeti ka theksuar se ky terren sportiv ishte një projekt i ndërtuar me përkushtim dhe vizion të qartë, me qëllim ofrimin e kushteve më të mira për të rinjtë e komunës.
“Një hapësirë që lindi nga dëshira për t’i dhënë të rinjve mundësi dhe kushte për zhvillim të shëndetshëm,” – ka shkruar ai.
Sipas tij, vendimi për ta çmontuar këtë terren nuk ka asnjë arsye funksionale apo teknike, por buron nga mllefi politik dhe paaftësia për të krijuar projekte të reja.
“Ky pushtet, i verbuar nga inati dhe paaftësia, vendos ta shkatërrojë këtë vepër vetëm sepse është ndërtuar nga Alternativa për Ndryshim – jo për ndonjë arsye madhore, por për ta zëvendësuar me bari artificial,” – thekson Mehmeti, duke rikujtuar se ndërkohë është në proces ndërtimi edhe një stadium tjetër me bari artificial, çka sipas tij e bën të pajustifikueshëm këtë ndërhyrje.
Ai e ka përmbyllur reagimin me tone të forta:
“Kjo është një qeverisje që nuk krijon dot vetë, por di vetëm të prishë. Turpi i këtij vendimi është i madh, dhe qytetarët duhet ta shohin me kujdes këtë mentalitet përçarës e destruktiv.”
Kujtojmë se stadiumi i vogël i qytetit, që vetëm pak vite më parë ishte rregulluar me ulëse plastike dhe kënd për fëmijë, ka filluar të çmontohet në ditët e fundit, duke hapur debat dhe zemërim në opinionin publik.
A1 Info