TRONDITJE NË SERBI: Gjendet trup në një fuçi, dyshohet se i përket Aleksandar Nešoviqit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Serbinë, pasi në fshatin Jarkovc, në komunën e Inxhijës, është gjetur një fuçi me një trup brenda, për të cilin autoritetet dyshojnë se mund t’i përkasë Aleksandar Nešoviqit, personit për të cilin po zhvilloheshin kërkime prej ditësh.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë e policisë, ekspertët e forenzikës dhe përfaqësues të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, të cilët kanë kryer veprimet hetimore dhe ekzaminimet e nevojshme.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat serbe, trupi i gjetur do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Beograd, ku do t’i nënshtrohet autopsisë dhe analizës së ADN-së, me qëllim të konfirmimit të identitetit.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi rrethanat e rastit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe publike në Serbi, ndërsa priten rezultatet e analizave zyrtare që do të hedhin më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.