Tragjedia në Surdulicë: Ministri Berisha kërkon respekt dhe ndalimin e përhapjes së urrejtjes
Surdulicë, Serbi – Ministri për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Social, Demo Berisha, ka dënuar ashpër sulmet dhe thirrjet për linçim ndaj familjes së një bukëpjekësi shqiptar pas një aksidenti tragjik trafiku në Surdulicë, ku një banor humbi jetën.
Në një reagim publik, Berisha theksoi se shfrytëzimi i tragjedive për përhapje urrejtjeje, thirrje për dëbim apo dënime kolektive mbi bazë kombësie është i papranueshëm. Ai rikujtoi se nxitja e linçimit dhe dhunës përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe cenon vlerat themelore të shoqërisë.
“Humbja e një jete njerëzore është një tragjedi që kërkon dhembshuri dhe respekt për familjen e viktimës. Por asnjë aksident nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në arsye për të targetuar një familje apo një komunitet të tërë për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare,” tha ministri, përcjell PreshevaCom. Transmeton A1info.
Ai paralajmëroi se përhapja e mesazheve të urrejtjes në hapësirën publike dhe rrjetet sociale mund të rrezikojë sigurinë e qytetarëve dhe të dëmtojë marrëdhëniet ndëretnike.
“Serbia është shteti i të gjithë qytetarëve të saj. Vetëm përmes respektimit të ligjit dhe përgjegjësisë individuale mund të ruajmë stabilitetin dhe besimin e ndërsjellë. Urrejtja dhe hakmarrja nuk janë përgjigje ndaj tragjedive,” përfundoi Berisha.