Tragjedia në Koçan: Identifikohen 59 viktima, 18 të arrestuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur në një konferencë për media se janë identifikuar trupat e 59 personave që humbën jetën në tragjedinë në Koçan.
Nga ngjarja tragjike janë lënduar gjithsej 196 persona, prej të cilëve 80 janë dërguar për trajtim jashtë vendit.
Lidhur me hetimet, Toshkovski konfirmoi se deri më tani janë arrestuar 18 persona, ndërsa 16 janë ndaluar. I fundit i ndaluar ngarkohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe është nënshkrues i një projekti bazë për lëshimin e kabare klubit, një nga dokumentet e nevojshme për funksionimin e tij.
Po ashtu, janë marrë në pyetje 81 persona, ndërsa për 14 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.
“Sipas hetimeve, për 11 persona është caktuar masa e paraburgimit për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, ndërsa për tre të tjerë për shkak të punës së tyre të pakujdesshme,” deklaroi Toshkovski, raporton Shenja.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësitë e kësaj tragjedie që ka tronditur vendin.