Thaçi mbetet në paraburgim në Hagë, aktgjykimi pritet më 16 shtator
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbetet në paraburgim në Hagë deri në shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ku akuzohet së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Thaçit.
Në vendimin e datës 10 gusht 2026, gjyqtarët kanë vlerësuar se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të konstatuar se Thaçi do t’i shmangej drejtësisë në rast të lirimit. Megjithatë, sipas tyre, vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe që ai mund të pengojë ecurinë e procedurave ose të ndikojë te dëshmitarët.
Trupi Gjykues ka konstatuar se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që Thaçi, nëse lirohet, të mund të ndërhyjë në proceset e Dhomave të Specializuara apo të kryejë vepra të tjera penale ndaj personave që mund t’i perceptojë si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje.
“Paneli përfundon se, në këtë kohë, vazhdon të ketë informacion të pamjaftueshëm para tij që justifikon një konstatim se z. Thaçi mund t’i shmanget drejtësisë nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë prova në këtë çështje”, thuhet në vendim.
Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit pritet të shpallet më 16 shtator 2026. Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar zyrtarisht se shpallja publike e aktgjykimit është caktuar për këtë datë.
Në të njëjtin vendim, kryegjyqtari Charles Smith ka urdhëruar që palët të mos paraqesin më parashtresa lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të masës së paraburgimit ndaj Thaçit, i cili ishte paraparë të zhvillohej më 9 tetor 2026.
Trupi Gjykues ka vlerësuar se ky shqyrtim nuk është më i nevojshëm në këtë fazë, duke pasur parasysh se aktgjykimi do të shpallet më 16 shtator.
Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë mohuar akuzat ndaj tyre.