Tërmet Shkatërrues në Birmani: Mbi 1,000 të Vdekur dhe Mijëra të Plagosur
Mbi 1,000 persona kanë humbur jetën dhe 2,376 të tjerë janë plagosur si pasojë e një tërmeti me magnitudë 7.7 shkallë Rihter që tronditi Birmaninë të premten, njoftoi televizioni shtetëror.
Ndërkohë, tërmeti ka shkaktuar vdekjen e 9 personave në Tajlandë dhe ka lënë mbi 30 të tjerë të bllokuar nën rrënoja.
Regjimi ushtarak që drejton Birmaninë ka kërkuar ndihmë humanitare nga bashkësia ndërkombëtare dhe ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë rajone të vendit. Ekipet e shpëtimit nga disa vende kanë mbërritur për të ndihmuar në përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore. Lëkundjet e forta kanë shkaktuar dëme edhe në Bangladesh dhe Kinë, ndërsa janë ndier deri në Vietnam.
Epiqendra e tërmetit ishte 17 kilometra larg qytetit të Mandalait, që ka një popullsi prej 1.2 milionë banorësh. Vetëm 12 minuta më vonë, një tjetër tërmet me magnitudë 6.4 shkallë tronditi vendin, me epiqendër 18 kilometra në jug të qytetit të Sagaingut.