Tentativë për Arrestimin e Milorad Dodikut në Sarajevën Lindore – MPB e Republikës Serbe Ndërhyn për ta Penguar
Sot, në Qendrën Administrative të Qeverisë së Republikës Serbe në Sarajevën Lindore, ku ndodhej presidenti i RS-së, Milorad Dodik, kanë arritur pjesëtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), me qëllim ekzekutimin e një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Sipas burimeve të portalit klix.ba, pjesëtarët e SIPA-s tentuan ta arrestojnë Dodikun në bazë të akuzës për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, aksioni është penguar nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Serbe, të cilët nuk lejuan arrestimin. Përplasja nuk ka eskaluar në përdorim force.
Zëdhënësja e SIPA-s, Jelena Miovçiq, konfirmoi prezencën e agjentëve në ndërtesën administrative, duke shtuar se ata vepruan sipas një urdhri të ligjshëm të gjykatës, por hasën në pengesa institucionale nga ana e MPB-së së RS-së.
Kujtojmë se Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës kishte dënuar më parë Dodikun me një vit burg dhe ndalim për gjashtë vjet nga ushtrimi i detyrës, për shkak të refuzimit të zbatimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje.
Përveç Dodikut, urdhër-arreste janë lëshuar edhe për kryeministrin e RS-së, Radovan Viskoviq dhe kryetarin e Kuvendit Kombëtar të RS-së, Nenad Stevandiq.
Dodik, më herët gjatë ditës, ka marrë pjesë në një takim në Shekoviq për projektin e gazifikimit të rajonit lindor të RS-së, dhe pasdite është zhvendosur në Sarajevën Lindore, ku sonte planifikon të mbajë një takim me zyrtarë lokalë të këtij rajoni.
Ngjarja ka tensionuar edhe më tej marrëdhëniet mes autoriteteve shtetërore dhe entitetit serb në Bosnje, ndërsa përpjekja e dështuar për arrestim pritet të shkaktojë reagime politike dhe institucionale në ditët në vijim.