Tension në Sarajevë: Policia e RS parandalon arrestimin e Dodikut – SIPA tenton t’i dorëzojë urdhërarrestin (video)
Situatë e tensionuar është shënuar mbrëmjen e djeshme dhe gjatë mëngjesit të sotëm në Sarajevë, ku një operacion i njësisë speciale të Bosnjës (SIPA) për arrestimin e presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, është ndërprerë nga forcat e policisë së entitetit.

Sipas blic.rs, tre inspektorë të SIPA-s tentuan t’i dorëzonin Dodikut një urdhër për arrestim në ambientet e qeverisë së RS në Istočno Sarajevo, por ndërhyrja e menjëhershme e MUP-it të RS-së e pengoi këtë veprim. Dodik dyshohet se ka qëndruar brenda ndërtesës gjatë gjithë natës, i mbrojtur nga forca të armatosura deri në dhëmbë.
Në mëngjes, situata përpara ndërtesës është më e qetë, megjithatë prania e madhe e policisë vazhdon. MUP-i i RS-së ka bllokuar rrugët anësore rreth ndërtesës dhe nuk po lejon ekipet mediatike të afrohen, raportoi Klix.ba.
Më herët gjatë ditës së djeshme, Dodik ka qenë në komunën e Šekovići, ku ka marrë pjesë në një takim për fillimin e projektit të gazifikimit në lindje të RS-së.
RTRS raporton se aksioni i SIPA-s është udhëhequr nga Elvir Ademović, vëllai i ish-shefit të AID-it, Kemal Ademović.
Duke folur për mediat nga Sarajeva, Dodik ka deklaruar: “Nuk do të dorëzohem nën presion”, duke lënë të kuptohet se do të vazhdojë rezistencën ndaj autoriteteve shtetërore.