Takim i frytshëm në Ambasada e Republikës së Shqipërisë me përfaqësues të shkollave të mesme nga Presheva dhe Bujanoci
Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë u zhvillua sot një takim i veçantë me përfaqësuesit e shkollave të mesme nga Presheva dhe Bujanoci, konkretisht nga Shkolla e Mesme “Skënderbeu”, Shkolla e Mesme Teknike “Presheva” dhe Shkolla e Mesme “Sezai Surroi”.

Gjatë takimit u zhvillua një bashkëbisedim i hapur, konstruktiv dhe profesional, ku palët shkëmbyen ide dhe perspektiva konkrete mbi forcimin e bashkëpunimit institucional, si dhe mbi mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit.

Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për të rinjtë, rritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimin e urave të reja bashkëpunimi që kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë ritheksoi përkushtimin e saj për të qëndruar pranë minoritetit shqiptar, duke mbështetur iniciativa që fuqizojnë arsimin, dialogun dhe partneritetet afatgjata në shërbim të të rinjve dhe të ardhmes së tyre.