Sot në Preshevë u zhvillua me sukses turneu tradicional i shahut “Presheva OPEN” – me pjesëmarrje të gjerë dhe mbështetje institucionale
Preshevë- sot u zhvillua edicioni i radhës i turneut tradicional të shahut “Presheva OPEN”, i organizuar nga Qendra Sportive “Presheva” me mbështetjen e Komunës së Preshevës. Mbi 60 shahistë nga Presheva, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut u përfshinë në garë, duke kthyer sallën e vogël të Shtëpisë së Kulturës në një arenë të vërtetë të logjikës, fokusit dhe rivalitetit korrekt.

Sporti vazhdon të jetë ura që na bashkon përtej sfidave dhe kufizimeve, duke promovuar disiplinën, mendimin strategjik dhe respektin reciprok në mesin e të rinjve dhe garuesve të apasionuar pas shahut.
Ceremoninë e shpërndarjes së mirënjohjeve dhe shpërblimeve e ndoqi edhe Ardita Sinani, kryetarja e Komunës së Preshevës, e cila bashkë me drejtorin z. Besim Nasufi përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për frymën sportive dhe angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm. Ardita Sinani konfirmoi se si komunë do të vazhdojnë të mbështesin aktivitetet që gjallërojnë jetën sportive dhe kulturore në Preshevë, duke nënvizuar se rinia meriton hapësirë për zhvillim, afirmim dhe sukses.

Turneu solli lojëra cilësore dhe rivalitet korrekt, ndërsa organizimi u vlerësua si në nivel të lartë, duke kontribuar në promovimin e shahut në rajon dhe duke forcuar lidhjet ndërkulturore përmes sportit.
A1info