Skandali i rradhës në Preshevë – APN: Akuzat për keqpërdorim të fondeve tronditin pushtetin lokal – NO COMENT
Preshevë, prill 2025 – Pas publikimit të raportit të Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal, Alternativa për Ndryshim ka reaguar fuqishëm, duke hedhur akuza të rënda ndaj pushtetit aktual në Preshevë për keqpërdorime të skajshme financiare dhe mungesë totale të transparencës.
Në qendër të kritikave është projekti për rregullimin e rrugës “Tefik Selimi”, i cili kap vlerën e 36.612.670,00 dinarëve (mbi 312.000 euro) për vetëm 150 metra rrugë. Ky investim është paraqitur si pjesë e Programit LIID, por krahasimet me projektet e mëhershme kanë ngritur shqetësime të mëdha për abuzim të mundshëm me fondet publike.
Sipas deklaratës së Alternativës për Ndryshim, gjatë mandatit të tyre si qeverisje lokale, 1.750.000 euro janë siguruar nga Programi LIID për rehabilitimin e një korridori prej rreth 20 kilometrash të arteries kryesore jug-veri të komunës, nga Rainca deri në Miratoc. Ndërkohë, pushteti aktual i udhëhequr nga Ardita Sinani dhe Ragmi Mustafa, sipas tyre, ka zgjedhur të shpenzojë një shumë marramendëse për një rrugë që, në raport me çmimin, del rreth 20 herë më e kushtueshme për metër.
Alternativa ka reaguar me tone të ashpra, duke e cilësuar këtë veprim si “plaçkitje të hapur të qytetarëve të Preshevës” dhe e ka përmbyllur postimin e saj me deklaratën e rëndë: “Hajnia ka emër – PVDSH”.
A1info