Skandalet e nepotizmit tronditin sërish Komunën e Preshevës – në qendër të akuzave, Ragmi Mustafa
Preshevë – Skandalet në Komunën e Preshevës nuk kanë të ndalur, me akuza të reja që rëndojnë mbi kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa. Sipas një reagimi zyrtar nga Alternativa për Ndryshim (APN), Mustafa është përfshirë në një tjetër rast të qartë nepotizmi, duke emëruar familjarët e tij në pozita kyçe brenda administratës lokale.
Pas rastit të znj. Ardita Sinani, e cila u kritikua për sistemimin e bashkëshortit të saj si “shofer personal”, tani vëmendja është përqendruar tek z. Mustafa. APN denoncon emërimin e dhëndrit të tij si drejtor të Urbanizmit dhe së fundmi edhe të djalit të vëllait të tij si drejtor të Fondit për Investime – dy institucione strategjike për zhvillimin dhe financat publike të komunës.
“Kjo është një rikthim i praktikave të vjetra, ku pushteti përdoret për përfitime personale dhe familjare, në dëm të interesit publik,” thuhet në deklaratën e APN.
Partia thekson se këto emërime jo vetëm që dëmtojnë besimin e qytetarëve, por edhe rrezikojnë seriozisht mundësitë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Alternativa për Ndryshim bën thirrje për ndarje të qartë mes interesit personal dhe atij publik, dhe kërkon transparencë dhe llogaridhënie në çdo vendimmarrje të administratës lokale.
“Presheva ka nevojë për një ndryshim të vërtetë – dhe ai fillon me ndaljen e praktikave korruptive dhe ndërtimin e një administrate të drejtë, profesionale dhe të ndershme,” përfundon deklarata.