Shqiptarët e Luginës, të shqetësuar për bllokimin e fondeve dhe diskriminimin administrativ
Lugina e Preshevës, 12 Dhjetor 2025 – Sot u zhvillua një takim i rëndësishëm mes përfaqësuesve të komunitetit shqiptar të Luginës dhe Komisionerit të Lartë për Pakicat, z. Christophe Kamp. Në këtë takim u diskutuan situatat reale dhe shqetësimet kryesore të shqiptarëve në këtë rajon.
Përfaqësuesit shqiptarë theksuan se, pavarësisht problemeve teknike të zakonshme, komuniteti po përballet me strategji të qëllimshme për dobësimin e institucioneve dhe kufizimin e të drejtave kolektive.
Çështjet kryesore të ngritura gjatë takimit përfshijnë:
Bllokimi i fondeve për KKSH-në – 304 mijë euro të miratuara ligjërisht janë refuzuar tri herë pa arsye, edhe pse mbi 35 mijë tekste shkollore përdoren tashmë nga nxënësit. Bllokimi i subvencioneve buxhetore – ka dëmtuar qindra familje shqiptare dhe ka dobësuar mekanizmat mbështetës për komunitetin. Mospërfshirja në policinë dhe gjyqësinë lokale – konkursët janë formale, dhe shqiptarët eliminohen sistematikisht, duke lënë zona të tëra pa përfaqësim dhe pa besim në institucionet e rendit. Pasivizimi i adresave dhe mosnjohja e diplomave – konsiderohen si dy nga format më të rënda të diskriminimit administrativ ndaj shqiptarëve.
Gjatë takimit u kërkua që Plani 7-pikësh dhe Plani Aksional të përdoren si bazë e procesit të implementimit, jo si dokumente shtesë, dhe që të lidhen me matje konkrete të progresit dhe angazhim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar.