Shqiprim Musliu: Gjykata më ftoi për një rast të trilluar – në kohën e akuzës kam qenë jashtë vendit
Shqiprim Musliu, ish-kryetar i LPD-së dhe veprimtar nga Lugina e Preshevës, ka reaguar ashpër pas ftesës që mori sot nga Gjykata për Kundërvajtje në Bujanoc. Ai thotë se është ftuar për të dëshmuar në një rast të ngritur nga punonjës të policisë, me akuzën se kishte marrë pjesë në një tubim të organizuar më 22 maj, në nder të dëshmorit Vehbi Rexhepi.

Musliu e ka cilësuar rastin si të sajuar, duke publikuar edhe pasaportën e tij me vulat e hyrje-daljes, për të dëshmuar se në atë periudhë ndodhej jashtë Serbisë, respektivisht në Europë.
“E para, sikur të kisha qenë atë kohë në Luginë, patjetër që do të kisha marrë pjesë, sepse Vehbia është HERO. Por më 22 maj kam qenë jashtë vendit. Si provë ia paraqita gjyqtares vulat nga pasaporta,” – shkroi Musliu.

Ai akuzoi policinë për shpifje dhe njoftoi se do të ngrejë padi ndaj punonjësve të përfshirë në këtë rast.
“Mashtruesit e tillë as më trembin, as më dekurajojnë. Do të vazhdoj betejën për të drejtat e shqiptarëve në këtë vend,” – shtoi Musliu.
Postimk inplotë i Shqiprim Musliut: https://www.facebook.com/share/p/177dyB1NCQ/?mibextid=wwXIfr