Shqipëria ofron mbështetje për shqiptarët në Luginë në ekonomi, arsim, kulturë dhe sport
Përfaqësues nga Bujanoci zhvilluan dy takime të rëndësishme në Tiranë me zyrtarë të Qeverisë së Shqipërisë, duke kërkuar mbështetje për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Në takimin me Zëvendësministren e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blerta Rama, u diskutua për lehtësimin e tregtisë mes Bujanocit dhe tregut shqiptar, mbështetjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike si dhe bashkëpunimin në fushën e inovacionit për shkollat shqipe dhe qendrat rinore.
Ndërkaq, në bisedën me Zëvendësministren e Arsimit dhe Sportit, Orjana Osmani, u kërkuan vende shtesë për studentët shqiptarë të Luginës në universitetet shqiptare, bursa dhe akomodim. Po ashtu, u theksua nevoja për investime në shkollat shqipe të Bujanocit dhe ndikimi ndaj Beogradit për lehtësimin e përdorimit të teksteve mësimore në gjuhën shqipe.
Në fushën e sportit, u kërkua mbështetje për të rinjtë e talentuar në Bujanoc, duke përmendur si shembull kapitenin e kombëtares, Berat Gjimshitin, dhe mundësinë që këta sportistë të rinj, me kushtet e duhura, të përfaqësojnë një ditë ngjyrat kuqezi.
A1 Info