SHBA ripërcakton Houthin si organizatë të huaj terroriste
Departamenti i Shtetit të martën ka ripërcaktuar grupin Houthi të Jemenit si “organizatë e huaj terroriste”.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se ky vendim vjen me sanksione dhe ndëshkime për këdo që i ofron “mbështetje materiale” këtij grupi.
“Që nga viti 2023, Houthi ka kryer qindra sulme kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, si dhe kundër pjesëtarëve amerikanë që mbrojnë lirinë e lëvizjes në det dhe partnerët tanë rajonalë”, theksoi Rubio.
Sipas AP, grupi Houthi ka shënjestruar me raketa dhe dronë mbi 100 anije tregtare që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në tetor 2023.
Administrata e parë e Donald Trump e kishte përcaktuar Houthin si organizatë terroriste, por ky status ishte hequr nga administrata e Joe Bidenit.
Rubio ka shtuar se SHBA-ja nuk do të tolerojë më asnjë shtet që angazhohet me organizata terroriste si Houthi.
Për më tepër, Departamenti i Shtetit ka shpallur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacione që ndihmojnë në prishjen e financimit të grupit Houthi.
Transmeton KTV, përcjell A1 Info.