Shaip Kamberi: Serbia pengon dialogun me Kosovën duke ndjekur “mitin e Kosovës
Shaip Kamberi ka theksuar se Serbia, duke ndjekur idenë e “mitit të Kosovës” dhe ëndrrën për perandorinë mesjetare, po merr pjesë në dialogun me Kosovën vetëm formalisht, ndërsa në praktikë po vazhdon me obstruksione dhe fushata kundër subjektivitetit ndërkombëtar të saj, duke minuar marrëveshjet e arritura.
Procesi i demokratizimit të Serbisë, sipas tij, mbetet kompleks dhe përballet me sfida të mëdha të brendshme, të lidhura me trashëgiminë historike, kulturën politike autoritare dhe diskurset e forta etnonacionaliste. Autoritarizmi i viteve ’90 ka lënë gjurmë të thella në politikën serbe, ndërsa dobësia e institucioneve shfaqet sidomos në një gjyqësor të politizuar që minon sundimin e ligjit.
Në Serbi, pushteti dominohet nga një parti dhe një lider i vetëm, ndërsa opozita mbetet e fragmentuar mes krahut “proevropian” dhe atij më radikal. Raportet ndërkombëtare kanë evidentuar manipulime të votës dhe konkurrencë joreale në zgjedhje, duke e kthyer vendin në shembull të “autoritarizmit zgjedhor”.
Ndërkohë, kufizimi i lirisë së medias dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës ushqejnë nacionalizmin ekstrem, ndërsa refuzimi i pranimit të gjenocidit dhe mohimi i rezolutës së OKB-së për Srebrenicën dëshmojnë revizionizmin historik.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, vëren se katër dekada nacionalizëm dhe populizëm kanë lënë pasoja të rënda, ndërsa vizioni për një Serbi evropiane mbetet i paqartë, pavarësisht se qytetarët po ikin masivisht drejt BE-së.
Historiani Miodrag Popoviq kujton se “Miti i Kosovës” ka zënë një vend qendror në jetën shpirtërore serbe që nga shekulli XIX dhe vazhdon të ushqejë ambicie nacionaliste edhe sot.
Kamberi thekson se demokratizimi i Serbisë nuk mund të reduktohet vetëm në reforma teknike apo ndërrim garniturash politike, por kërkon transformim të thellë shoqëror: ballafaqim me të kaluarën, pajtim me fqinjët, heqje dorë nga politika hegjemoniste dhe ndërtim të një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku edhe pakicat të ndihen qytetarë të barabartë.