Shaip Kamberi publikon përgjigjen nga BE: Shqiptarët e Luginës po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në Bruksel
Përfaqësuesi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, z. Shaip Kamberi, ka ndarë sot një përgjigje zyrtare nga Komisioni Evropian, në lidhje me trajtimin e pakicave kombëtare në Serbi, me theks të veçantë për komunitetin shqiptar.
Në një postim në rrjetet sociale, Kamberi shkroi:
“Edhe një përgjigje nga Brukseli 🇪🇺. Shqiptarët e Luginës po marrin vëmendje gjithnjë më të madhe në institucionet e Brukselit!”

Në letrën zyrtare të dërguar nga Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, znj. Marta Kos, theksohet se BE po ndjek nga afër trajtimin e pakicave në Serbi, përfshirë edhe situatën e shqiptarëve në jug të vendit, në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave për anëtarësim, që mbulon “Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore”.
Pjesë nga përgjigja e Komisioneres Marta Kos:
“Dëshiroj t’ju siguroj se Komisioni po ndjek nga afër trajtimin e personave që i përkasin pakicave kombëtare, përfshirë situatën e komunitetit shqiptar në Serbi […] Serbia është e detyruar të zbatojë kuadrin e saj ligjor për të drejtat e personave që u përkasin pakicave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.”
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe çështjes së ‘pasivizimit të adresave’, një problematikë e ngritur vazhdimisht nga përfaqësuesit shqiptarë si formë e diskriminimit të heshtur administrativ.
“Kemi theksuar në raportin tonë të Paketës së Zgjerimit për vitin 2024 për Serbinë nevojën që autoritetet të shpjegojnë më mirë për publikun se si po kryhen verifikimet e statusit të qëndrimit, gjë që po rezulton në ‘pasivizimin’ e disa adresave dhe nëse jugu i Serbisë është veçanërisht i shënjestruar,” thuhet në letrën e Komisioneres Kos.
Kamberi e ka cilësuar këtë përgjigje si një tjetër dëshmi se çështja e shqiptarëve të Luginës nuk po injorohet nga institucionet evropiane dhe se presioni ndërkombëtar ndaj autoriteteve serbe për respektimin e të drejtave të pakicave po rritet.