Shaip Kamberi: Presheva meriton tabelat e veta të regjistrimit të automjeteve
Preshevë – Deputeti Shaip Kamberi ka dorëzuar një iniciativë për t’i dhënë komunës së Preshevës tabelat e veta të regjistrimit të automjeteve, duke theksuar se kjo është e drejtë dhe plotësisht e arsyeshme për qytetin dhe banorët e tij.

Sipas të dhënave zyrtare, në komunën e Preshevës janë të regjistruar 12.387 automjete, ndërsa numri i banorëve rezidentë arrin 33.449, dhe gjithsej 59.024 kur i shtohen edhe banorët jorezidentë. Kamberi thekson se, me këtë numër të banorëve dhe të automjeteve, Presheva meriton të trajtohet njësoj si çdo komunë tjetër në Serbi, duke pasur tabelat e veta të regjistrimit dhe jo ato të qytetit të Vranjës.
“Iniciativa jonë ka për qëllim që Presheva të identifikohet me emrin e vet dhe që simboli i saj, përfshirë edhe tabelat e regjistrimit të automjeteve, të jetë i pranishëm si në çdo komunë tjetër të vendit,” tha Kamberi.
Ky hap konsiderohet i rëndësishëm për të afirmuar identitetin e Preshevës dhe për të siguruar trajtim të barabartë për qytetarët e saj.
A1 info