Shaip Kamberi: Policia multietnike në rrezik – kërkohet program i veçantë për punësimin e të rinjve shqiptarë e boshnjakë
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka paralajmëruar se modeli i policisë multietnike në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak rrezikon të zhduket për shkak të mungesës së përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe boshnjakëve në strukturat policore.
Në një nismë të përbashkët me deputetët e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) nga Sanxhaku, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, Kamberi i është drejtuar kryeministrit të Serbisë me kërkesën për krijimin e një Programi të veçantë që do të mundësonte punësimin e të rinjve shqiptarë dhe boshnjakë në polici, në të gjitha komunat dhe qytetet ku jetojnë këto komunitete.
Sipas tij, punësimet e dekadës së fundit nuk kanë ruajtur balancën etnike, duke sjellë ulje të ndjeshme të numrit të pjesëtarëve shqiptarë dhe boshnjakë në polici dhe duke krijuar një mospërputhje serioze me përbërjen reale të popullsisë.
“Ky program duhet të zbatohet derisa përbërja e policisë të pasqyrojë realisht strukturën kombëtare të popullsisë, ashtu siç u arrit në vitin 2001 me ndërmjetësimin e OSBE-së, kur modeli i policisë multietnike solli stabilitet dhe besim te qytetarët,” – tha Kamberi.
Ai theksoi se rikthimi dhe forcimi i këtij modeli është domosdoshmëri për të garantuar siguri dhe përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve.