Shaip Kamberi dorëzon kërkesën për shkarkimin e ministres Snezhana Paunoviq
Preshevë, 16 korrik – Deputeti i Kuvendit Popullor të Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik (PVD) kanë iniciuar procedurën për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq.

Sipas Kamberit, nismës i janë bashkuar edhe 47 deputetë të tjerë, duke bërë që gjithsej 53 deputetë të opozitës t’i drejtohen me një kërkesë zyrtare kryeministrit Gjuro Macut për të propozuar në Kuvend shkarkimin e ministres Paunoviq.
Kërkesa vjen pas deklaratave të ministres, për të cilat opozita vlerëson se kanë arsyetuar spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve nëntëdhjetë.
“Kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore”, thuhet në reagimin e Kamberit.
Ai paralajmëroi se, nëse kryeministri Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, do të mbajë përgjegjësi politike për vazhdimin e mandatit të Paunoviqit dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë.
Kamberi shprehu gjithashtu keqardhje që iniciativa nuk është mbështetur nga partitë e pakicave kombëtare që janë pjesë e pushtetit.
“Sfida jonë nuk u përkrah nga partia boshnjake e Zukorliqit, partia boshnjake e Lajiqit dhe as nga partia hungareze e Pastorit”, theksoi ai.