Serbia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak këtë vit
Beograd – Shërbimi i detyrueshëm ushtarak pritet të rikthehet gjatë këtij viti në Serbi. Ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gašić, ka deklaruar se Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria Serbe janë plotësisht të përgatitura, ndërsa zgjidhja ligjore tashmë është hartuar dhe pritet së shpejti të procedohet në Kuvend.
Në një deklaratë për agjencinë Tanjug, të përcjellë nga Preshevacom, Gašić bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë përshtatur 125 objekte për nevojat e shërbimit ushtarak. Sipas planit, çdo gjeneratë do të përfshijë rreth 5 mijë rekrutë.
Shërbimi ushtarak do të zgjasë gjithsej 75 ditë dhe do të jetë i paguar. Nga kjo periudhë, 60 ditë do të kalohen në kazerma, ndërsa 15 ditët e mbetura në ambiente të posaçme kampi.
Pas përfundimit të shërbimit fillestar, parashihet që rekrutët të angazhohen çdo vit në ushtrime të caktuara, me qëllim ruajtjen dhe përditësimin e njohurive të fituara.
Ministri theksoi se, përveç infrastrukturës, janë siguruar edhe pajisje të reja, uniforma, armatim dhe logjistikë e plotë për gjeneratën e parë dhe për të gjitha ato që do të pasojnë.
Kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikat e sigurisë dhe mbrojtjes së Serbisë, pas viteve të funksionimit me shërbim vullnetar.