Sedat Ismaili: (dokument) Më injoruan pushteti i Ardit Sinanit, Ragmi Mustafës dhe disa bashkëfshatarë, por nuk heq dorë nga kufiri Miratoc–Llojan
Kryetari i Bashkësisë Lokale të Miratocit, Sedat Ismaili, po vazhdon betejën institucionale për hapjen e pikës kufitare Miratoc–Llojan, pavarësisht, siç thotë ai, mungesës së mbështetjes nga pushteti lokal dhe indiferencës së disa bashkëfshatarëve.

Më 4 qershor 2026, Ismaili pranoi përgjigje zyrtare nga Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi (Повереник за заштиту равноправности), pas parashtresës së dorëzuar në emër të banorëve të Miratocit lidhur me moshapjen e pikës kufitare Miratoc–Llojan.
Në përgjigjen e tij, Komisioneri thekson se nuk është kompetent të shqyrtojë arsyet e vonesës së hapjes së pikës kufitare, por njofton se i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për të shqyrtuar pretendimet e paraqitura dhe për të ndërmarrë masa në drejtim të hapjes sa më të shpejtë të kufirit Miratoc–Llojan.
Në një deklaratë për A1 Info, Ismaili tha se Komuna e Preshevës e ka injoruar plotësisht angazhimin e tij për këtë çështje.
“Përgjigjen që mora nga MPB-ja ua dorëzova institucioneve komunale, por nuk pati asnjë reagim. Ata iu drejtuan vetë ministrisë dhe morën të njëjtën përgjigje që ua kisha dorëzuar unë më herët”, tha ai.
Sipas Ismailit, arsyetimi i MPB-së se rruga kalon nëpër fshat dhe mund të rrezikojë banorët nuk qëndron.
“Kam kërkuar bashkë me disa banorë që të shqyrtohet edhe një rrugë alternative jashtë fshatit, por kam hasur në vesh të shurdhër. Edhe aty ku pritej mbështetje, kam gjetur heshtje”, u shpreh ai.
Ismaili mbetet i bindur se problemi nuk qëndron te infrastruktura.
“Më injoruan institucionet që duhej të më mbështesnin, më injoruan edhe disa bashkëfshatarë kur kërkova zgjidhje konkrete. Por unë nuk do të ndalem. Nëse do të kishte vullnet politik, kufiri Miratoc–Llojan do të ishte hapur prej kohësh. Problemi nuk është rruga, por mungesa e vullnetit për ta hapur atë.”
Pas ndërhyrjes së Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë, tashmë pritet përgjigjja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë lidhur me hapat e mëtejmë për funksionalizimin e pikës kufitare Miratoc–Llojan, një kërkesë e kahershme e banorëve të zonës kufitare.