Sami Salihu Kritikon Ardita Sinanin për Takimin me Interspeed: Ku Mbetën 1000 Vendet e Punës?
Kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu, ka reaguar ashpër ndaj takimit të Ardita Sinanit me kompaninë Interspeed, duke e akuzuar atë për mungesë transparence dhe mashtrim të qytetarëve të Preshevës.
Salihu ka kujtuar premtimin fillestar të Sinanit për krijimin e 1000 vendeve të reja të punës përmes këtij projekti ambicioz ekonomik. Megjithatë, pas kritikave të shumta dhe dyshimeve të ngritura nga mediat mbi investitorin, Sinani e ka ndryshuar qëndrimin, duke e cilësuar takimin si një ngjarje informuese dhe simbolike.
“Pas kritikave, ajo po e minimizon rëndësinë e takimit, duke e paraqitur si një veprim simbolik të transparencës ndaj qytetarëve. Nuk përmendi më 1000 vendet e punës dhe nuk adresoi asnjë nga dyshimet e ngritura mbi investitorin,” deklaroi Salihu.
Ai e cilësoi Sinanin si të papërgjegjshme, të paaftë dhe të pasigurtë, duke theksuar se ky premtim i dhënë qytetarëve të komunës nuk do të harrohet lehtë.
“Do ta pyesim Ardita Sinanin dhe PVD-në për 1000 vendet e punës të Interspeed-it, të cilat u premtuan me kaq entuziazëm qytetarëve të Preshevës,” shtoi ai.
Në përfundim të reagimit të tij, Salihu ngriti pikëpyetje mbi rolin e Ragmi Mustafës, duke e cilësuar atë si “kryetarin de facto të Komunës”, dhe duke aluduar se ai qëndron pas vendimeve të Sinanit.