Sami Salihu ironizon vizitën e Kryetares Sinani në Elbasan: “Djalinxhizëm politik dhe marifete për foto”
Kryetari i Lëvizjes për Reforma në Preshevë, Sami Salihu, ka reaguar me tone ironike ndaj vizitës së fundit të Kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në Bashkinë e Elbasanit. Ai e ka quajtur këtë vizitë si një tjetër shembull të asaj që e cilëson si “djalinxhizëm politik”, duke kritikuar pushtetin aktual për mungesë të rezultateve konkrete dhe fokus vetëm në imazh.
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Salihu u shpreh:
“Qytetarë të Komunës së Preshevës,
Urime! Fishekzjarrët, ju lutem!
Kryetarja Ardita Sinani sërish në vizitë. Me delegacion. Me buzëqeshje. Me kostume të hekurosura. Si për Elbasanin e bukur të këngës.”
Duke ironizuar fjalorin institucional, ai vijon:
“Dhe natyrisht:
‘Takime të ngrohta’.
‘Hapa konkretë’.
‘Thellim bashkëpunimi’.
‘Projekte konkrete’.
‘Zhvillim rajonal’.
‘Integrim ndërkufitar’.
Agroturizëm?! Për investime dhe punësim.
Gjithçka thuhet. Gjithçka fotografohet.
Foto, foto, foto, foto…”
Salihu i drejtohet qytetarëve duke i lënë të kuptojnë se pas gjithë këtyre paraqitjeve publike e vizitave zyrtare, rezultatet reale për qytetarët mungojnë.
Ai përmbyll reagimin me një mesazh sarkastik:
“Dhe në fund? Rezultatin… e dini ju.”
Kjo deklaratë vjen si pjesë e kritikave të vazhdueshme të opozitës ndaj qeverisjes lokale në Preshevë, veçanërisht për atë që ata e konsiderojnë politikë të imazhit dhe mungesë të veprimit konkret në terren.
A1info