Sami Salihu godet Ardita Sinanin: “Takimet me përfaqësues të Vuçiqit nuk sjellin dinjitet për Preshevën!
Preshevë, 30.04.2025– Anëtari i opozitës në Preshevë, Sami Salihu, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të Kryetares së Komunës, Ardita Sinani, pas takimit të saj me Ministrin e Bujqësisë së Serbisë, Dragan Gllamoçiq, një figurë e afërt me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Salihu ka kritikuar publikisht Kryetaren për, siç e quajti ai, “politika pa dinjitet dhe të paqarta”, duke shtuar se takimet me përfaqësues të regjimit të Vuçiqit nuk përfaqësojnë interesin e qytetarëve shqiptarë të Preshevës, por përkundrazi, “e zbehin kauzën tonë politike dhe kombëtare”.
“Të thuash se po e bën për të mirën e Preshevës, ndërkohë që shkon në ministritë e Beogradit për të kërkuar gypa e ujë për Norçë, është më shumë propagandë sesa strategji zhvillimore,” – deklaroi Salihu.
“Presheva ka nevojë për partnerë ndërkombëtarë të besueshëm, për zhvillim real, jo për takime me njerëz që përfaqësojnë shtypjen institucionale të shqiptarëve në Luginë.”
Ai shtoi se bashkëpunimi teknik nuk mund të përdoret si mbulesë për heshtjen politike ndaj padrejtësive që përjetojnë shqiptarët në Serbi, veçanërisht në fusha si tekstet shkollore, simbolet kombëtare dhe punësimi në institucione shtetërore.
Salihu gjithashtu kritikoi stilin e komunikimit të Kryetares, duke e quajtur atë “larg qytetarëve dhe realitetit”, ndërsa nënvizoi se prioritetet e komunës nuk mund të sillen vetëm rreth gypave dhe fotografive diplomatike.
A1 info