Sami Salihu akuzon PVD-në për manipulim të fondeve dhe sulme ndaj aleatëve ndërkombëtarë
Kryetari i LR-së, Sami Salihu, ka reaguar ashpër ndaj drejtuesve të PVD-së, duke i akuzuar për manipulim të vazhdueshëm me fondet e Republikës së Kosovës dhe për retorikë të papërgjegjshme ndaj partnerëve ndërkombëtarë të shqiptarëve.
Në një deklaratë publike, Salihu e cilësoi “diplomatikisht skandaloze” që përfaqësues të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, përfshirë Shaip Kamberin, të hedhin akuza pa prova ndaj vendeve mike si Turqia, Bashkimi Evropian dhe shtetet perëndimore. Sipas tij, një qasje e tillë dëmton interesat e shqiptarëve dhe cenon raportet me aleatët strategjikë.
Salihu hodhi poshtë pretendimet për një “bllokadë politike” nga ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare në proceset bankare ndërkufitare për Luginën e Preshevës, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe naive.
Ai gjithashtu kritikoi ashpër qëndrimin kontradiktor të PVD-së ndaj institucioneve të Qeverisë së Serbisë. “Nga njëra anë akuzoni për diskriminim, ndërsa nga ana tjetër vazhdoni marrëveshje dhe përfitoni pozita drejtuese dhe punësime për familjarët tuaj në po ato institucione,” theksoi ai.
Në fund, Salihu ngriti shqetësimin për menaxhimin e fondeve nga Kosova, duke thënë se PVD ka dështuar vazhdimisht në administrimin e tyre, qoftë përmes procedurave të dështuara apo keqmenaxhimit. Ai u bëri thirrje drejtuesve të kësaj partie të kërkojnë zgjidhje konkrete përmes ekspertëve dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, në vend të akuzave.
“Zgjidhje ka. Veproni. Të paktën mos dëmtoni përfituesit potencialë, siç po ndodh aktualisht me fermerët,” përfundoi Salihu.