Rutte i tërheq vërejtje Serbisë: “Mos e quani më Prishtinën regjim, përmbahuni nga retorika nxitëse ndaj Kosovës”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dhënë një mesazh të qartë në adresë të Serbisë gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke i bërë thirrje autoriteteve serbe që të ndalin retorikën provokuese ndaj Kosovës.
Rutte reagoi ashpër ndaj përfaqësuesit serb që iu referua institucioneve të Kosovës si “regjimi në Prishtinë”, duke e cilësuar një gjuhë të tillë si të padobishme dhe të rrezikshme për stabilitetin rajonal. “Nuk funksionon. Serbia është vendi më i madh në rajon dhe kemi nevojë për lidershipin e saj. Por ju lutem, përmbahuni nga kjo retorikë,” deklaroi ai.
Shefi i NATO-s vuri theksin në rëndësinë e misionit të KFOR-it në Kosovë, duke e quajtur atë një shtyllë themelore për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ai siguroi se NATO do të vazhdojë të mbështesë misionin me kapacitetet e nevojshme, edhe pse nuk dha detaje nëse pritet ndonjë ndryshim në numrin e trupave.
Në fjalën e tij, Rutte përmendi edhe takimin e fundit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, ku u diskutua domosdoshmëria e mbajtjes përgjegjës të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe të incidenteve të tjera që tronditën rajonin gjatë vitit 2023.
Mesazhi i Rutte vjen në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar kërkon de-përshkallëzim dhe dialog konstruktiv.