Rexhepi: Çështja e pasivizimit do të trajtohet në seancë të përbashkët të këshilltarëve shqiptarë
Në seancën e gjashtë të Kuvendit Komunal të Bujanocit u zhvillua debat rreth çështjes së pasivizimit të adresave të shqiptarëve, pas kërkesës së këshilltarit të PVD-së, Ragmi Mustafi. Ai propozoi që në rendin e ditës të përfshihej miratimi i një konkluzioni për këtë problem, i cili prej vitesh mbetet shqetësim i qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës.
Propozimi u vu në votim, por nuk mori mbështetjen e shumicës së këshilltarëve dhe, për pasojë, nuk u aprovua.
Kryetari i Kuvendit, Driton Rexhepi, sqaroi se arsyeja e mospranimit të kësaj pike në rend dite lidhet me nevojën për një qasje të koordinuar mes të gjitha komunave shqiptare të Luginës. Ai theksoi se çështja e pasivizimit të adresave duhet të trajtohet në një seancë të përbashkët të këshilltarëve shqiptarë të tri kuvendeve komunale, e cila, sipas tij, pritet të thirret shumë shpejt.
Rexhepi nënvizoi rëndësinë e një qëndrimi të përbashkët institucional për të adresuar në mënyrë më efektive këtë problem të ndjeshëm.