Refik Aliu denoncon neglizhencën ndaj shkollës ‘Ibrahim Kelmendi’: Projekti në letër, realiteti i dhimbshëm
Një reagim i fuqishëm është bërë publik nga Refik Aliu, i cili ka ngritur shqetësimin e tij për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet një nga shkollat më të rëndësishme në Preshevë – Shkolla Fillore “Ibrahim Kelmendi”. Në një tekst të drejtpërdrejtë dhe kritik, ai ka denoncuar qasjen selektive të pushtetit lokal ndaj trashëgimisë arsimore, duke vënë theksin mbi neglizhencën institucionale dhe mungesën e investimeve të nevojshme për një shkollë me peshë historike dhe edukative në komunën e Preshevës.
Teksti i plotë i Refik Aliut:
Çasja selektive e pushtetit lokal ndaj trashëgimisë arsimore:
Shembulli i Shkollës “Ibrahim Kelmendi” në Preshevë
Është e dhimbshme dhe e papranueshme të shohësh se si pushteti aktual në Preshevë, me në krye kryetaren e Komunës, vazhdon të injorojë nevojat elementare të institucioneve arsimore, duke e lënë në mëshirë të kohës Shkollën Fillore “Ibrahim Kelmendi”, një nga shkollat më të vjetra dhe më me histori në këtë trevë.
Kjo shkollë, e cila ka edukuar e arsimuar breza të tërë, sot po përballet me një neglizhencë të pashpjegueshme, veçanërisht në pjesën e jashtme të objektit, që prej vitesh pret restaurim dhe meremetim. Muret e krisura, fasada e rrënuar dhe kushtet e papërshtatshme janë dëshmi e qartë e papërgjegjësisë së plotë të kryetares së komunës dhe administratës së saj.
E lehtë është të shfaqesh video-fotografi të projekteve, por është turp dhe padrejtësi të harrosh institucionet që janë themelet e identitetit dhe dijes së këtij vendi.
Nxënësit nuk meritojnë këtë.
Është një mosmirënjohje dhe mungesë respekti ndaj emrit të “Ibrahim Kelmendit” dhe mësuesve të asaj shkolle që kanë dhënë kontributin më të mirë për këtë shoqëri.
Pushteti matet me veprat konkrete, jo me fjalë boshe e premtime të përsëritura.
PS: Ne vlerësojmë ndihmën e Republikës së Kosovës për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës, por prioritetet nuk duhet të ngatërrohen. Institucionet arsimore ekzistuese kërkojnë trajtim të menjëhershëm.
E para: foto projekt, e dyta realitet i dhimbshëm!
Ka përfunduar Aliu.
Reagimi i Refik Aliut është një thirrje për reflektim dhe veprim konkret nga pushteti lokal. Në një kohë kur në vend të përmirësimit të kushteve në institucionet ekzistuese, shohim më shumë fokus në projekte të reja, ky shqetësim hedh dritë mbi mungesën e një strategjie të balancuar për zhvillimin arsimor në Preshevë. Të mos harrojmë se çdo investim në arsim është investim në të ardhmen.
Postimi i Aliut: https://www.facebook.com/share/p/16evjTWnnh/?mibextid=wwXIfr
A1 info