Reagon Komuna e Bujanocit: mbi 200 paditë për asfaltimin e rrugëve
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, iu drejtua qytetarëve për të sqaruar situatën e krijuar nga paditë e fundit që disa qytetarë kanë ngritur ndaj Komunës për asfaltimin e rrugëve. Ai theksoi se disa avokatë dhe individë po i nxisin qytetarët të padisin Komunën duke i mashtruar se mund të përfitojnë para, ndërkohë që të gjitha shpenzimet gjyqësore i mbulon Komuna. Qytetari nuk fiton asgjë, ndërsa përfitojnë vetëm avokatët, duke shtuar barrën mbi buxhetin e komunës dhe të gjithë qytetarët.
Sipas Pajazitit, mbi 200 persona kanë ngritur paditë me pretekstin se komuna ka asfaltuar pronat e tyre. Ai shprehu keqardhjen për faktin se shumë prej këtyre personave më parë e kanë kushtëzuar votën për të përfituar asfaltin, që tani e konsiderojnë problem, duke e cilësuar këtë sjellje si të papranueshme.
Reagimi i Pajazitit u mbështet edhe nga ish-kryetari i KSH-së, Nevzad Lutfiu, i cili shprehu zhgënjimin për qasjen e disa qytetarëve dhe e cilësoi situatën si dëshpëruese. Ai theksoi se përpjekjet për përfitime personale nga investimet publike nuk duhet të tolerohen.

Kryetari Pajaziti sqaroi se Komuna nuk është kundër qytetarëve dhe çdo rrugë është bërë për të mirën e banorëve dhe për rritjen e vlerës së pronave. Megjithatë, ai paralajmëroi se Komuna do të heqë asfaltin dhe do ta kthejë gjendjen si më parë në çdo rast ku ka ankesa të bazuara dhe kërkesa të drejtpërdrejta nga pronarët, për të shmangur shpenzime të panevojshme ligjore.
Ai bëri thirrje që qytetarët të mos bien pre e manipulimeve dhe të drejtohen drejtpërdrejt në Komunë për çdo paqartësi ose problem, duke synuar zgjidhje me mirëkuptim dhe në përputhje me ligjin.