Reagon Kabineti i Kryetares së Komunës së Preshevës pas publikimit për 499.200,00 dinarë shpenzime për kafe, zbardhen edhe 625.220 dinarë në një restorant tjetër
Pas publikimit nga Visar Memeti të një dokumenti ku pretendohet se janë shpenzuar 499.200,00 dinarë në kundërvlerë me dinarë për kafe, ka reaguar Shefi i Kabinetit të Kryetares së Komuna e Preshevës, Besim Shabani, i cili në reagimin e tij ka bërë publike edhe shpenzime të tjera në vlerë prej 625.220 dinarësh në një restorant tjetër të qytetit.

Në reagimin publik, Shabani thekson se kërkesa për transparencë duhet të shoqërohet me transparencë të plotë dhe jo, siç e quan ai, me “gjysmë të vërteta” apo informacione selektive.
Sipas tij, Memeti ka kërkuar raportim për pagesat e realizuara ndaj dy subjekteve ekonomike gjatë vitit 2025 dhe përgjigjja e dhënë nga komuna i referohet saktësisht asaj periudhe – një viti të plotë kalendarik.
“Kur kërkon transparencë, atëherë duhet të jesh transparent. Jo selektiv. Jo me gjysmë të vërteta”, thuhet në reagimin e Shabanit.
Ai shton se viti 2025 ka qenë një nga vitet më dinamike për Komunën e Preshevës, duke përmendur organizimin e aktiviteteve të shumta kulturore, vizita të rangut ministror, takime me ambasadorë, si dhe pritje të kryetarëve të komunave dhe bashkive, krahas intensifikimit të bashkëpunimeve ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare.
Në reagimin e tij, ai zbulon gjithashtu se përveç shumës prej 499.200,00 dinarë në kundërvlerë me dinarë për shërbime kafeje, gjatë vitit 2025 janë realizuar edhe shpenzime prej 625.220 dinarësh në një restorant tjetër të qytetit, duke theksuar se këto lidhen me pritje dhe aktivitete zyrtare të kabinetit.
Sipas tij, raporti financiar pasqyron aktivitetin real të një viti të plotë pune dhe rritja e shpenzimeve lidhet drejtpërdrejt me shtimin e aktiviteteve zyrtare.
“Nëse ka pasur më shumë aktivitete, natyrisht që ka pasur edhe më shumë angazhim financiar – kjo quhet funksionim aktiv i një komune, jo diçka për t’u shtrembëruar në narrativë”, thuhet më tej në reagim.
Shabani thekson se transparenca nuk duhet të përdoret si mjet për insinuata politike, por si paraqitje e plotë e fakteve. Ai bën të ditur se në reagim janë bashkëngjitur kërkesa e Memetit, përgjigjja zyrtare e komunës si dhe paraqitja e të gjitha pritjeve të realizuara nga kabineti gjatë periudhës në fjalë.
Publikimi i dokumenteve ka nxitur debat publik rreth shpenzimeve të komunës dhe mënyrës së paraqitjes së tyre në diskursin politik lokal.
Dokumentet e publikuara nga shefi i kabinetit

