Reagime pas mbishkrimeve me emrin e Ratko Mladiq në Bujanoc 🚨
Bujanoc – Pas shfaqjes së grafiteve me emrin e Ratko Mladiq, të dënuarit për krime lufte nga Tribunali i Hagës, kanë reaguar kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani, deputeti popullor Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi.
Në reagimin e përbashkët, ata theksojnë:
“Dënojmë mbishkrimet në qendër të qytetit me emrin e të dënuarit për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Ratko Mladiq. Kërkojmë nga organet kompetente të zbardhin rastin dhe të evitojnë çdo përsëritje të këtyre dukurive që nuk janë në interes të qytetarëve tanë.”
Ata shtuan se është e papranueshme që organet kompetente deri më tani nuk kanë zbardhur asnjë rast të ngjashëm, i cili mund të çojë në tensione ndëretnike.
“Bujanoci gjithmonë ka qenë model i bashkëekzistencës midis popujve dhe si i tillë duhet të mbetet”, thuhet në reagim.