Rahim Salihu, këshilltar i PVD-së në Bujanoc, përmes një postimi në lidhje me protestën e djeshme ka shkruar:
“Për jetë normale në Bujanoc protestoni në Beograd!”
Në Bujanoc po protestohet kundër bllokadave, duke bllokuar rrugët.
Pra, vetë ata që thonë se janë kundër bllokadës, po bllokojnë.
Me parulla si “duam paqe” dhe “duam jetë normale” protestojnë funksionarët dhe përkrahësit e partisë që tash e 13 vite ka pushtetin absolut në Serbi – në shëndetësi, në arsim, në polici, në gjykata, në të gjitha ndërmarrjet shtetërore.
Ndërkohë, në Bujanoc, prej më shumë se një viti, e njëjta parti ka në dorë 50% të pushtetit lokal.
Pra, në Serbi e kanë gjithçka, në Bujanoc gjysmën e pushtetit, dhe megjithatë dalin në rrugë duke kërkuar “jetë normale”.
Nga kush? Mos ndoshta nga vetvetja!?
Sepse për mungesën e jetës normale në Bujanoc, përgjegjësinë kryesore e mban pikërisht partia në pushtet dhe qeveria qendrore.
👉 Për jetë normale duhen:
vende pune, njohje e diplomave për shqiptarët, ndalim i pasivizimit, sjellje e investitorëve.
Për jetë normale nevojitet mirëkuptim, barazi dhe mirëqenie.
Jetën normale nuk e sjellin parullat që thërrasin për vdekjen e shqiptarëve, as glorifikimi i Ratko Mladiqit, as kapelat e dorezat e zeza.
Nëse me të vërtetë e doni jetën normale, hapni dyert e institucioneve shtetërore për shqiptarët.
Ndaloni punësimin vetëm të militantëve partiakë.
Privatizoni dhe zhvilloni asetet ekonomike si Banja e Bujanocit, fabrika e mishit apo “Gumoplastika”.
Përdorni pushtetin që keni në Beograd për të sjellë investitorë.
Kush po ua ndalon?
Jetë normale? E duam edhe ne – madje më shumë se ju.
Por për jetë normale në Bujanoc, duhet të protestoni në Beograd!