Ragmi Mustafi: “Drejtësia në Serbi refuzohet dhe telekomandohet”
Leskovc – Ragmi Mustafi ka reaguar publikisht pas daljes nga Gjykata e Leskovcit, duke e cilësuar procesin si një tjetër shembull të trajtimit të padrejtë institucional ndaj shqiptarëve në Serbi.
Në një shkrim të publikuar nga Leskovci, Mustafi shkruan se, ndonëse mandatin e tij e ka përfunduar prej tre vitesh, ai vazhdon të jetë i ndjekur nga institucionet. Sipas tij, edhe Enkeli është nën ndjekje që nga viti i parë, “që të mos i mbetet asnjë iluzion për fillimin”.
Këtë herë, siç thekson Mustafi, përballja ishte me administratën tatimore, ndërsa rezultatin e përshkruan si të paracaktuar: “100 me 0 – gjithmonë për shtetin, gjithmonë kundër shqiptarëve”, duke e krahasuar këtë gjendje me funksionimin e demokracisë në vend.
Në reagimin e tij, Mustafi rikujton edhe çështjen e hapur në Gjykatën Kushtetuese, ku, sipas tij, ai dhe Aleksandar Vulin janë tashmë prej shtatë vitesh në pritje të një vendimi. “Shtatë vjet ‘procedurë’, shtatë vjet ‘do të shqyrtohet’, shtatë vjet provë se në Serbi, drejtësia nuk vonohet – refuzohet e telekomandohet”, shkruan ai.
Deklarata e Mustafit vjen në vazhdën e ankesave të vazhdueshme të përfaqësuesve shqiptarë për trajtim selektiv dhe mungesë të drejtësisë efektive në institucionet gjyqësore të Serbisë.